Moisiu në mal

Ngjitet përpjetë Malit të Shkretë
Kryeprofeti trimi me fletë,
Të bisedonjë me Perëndinë
Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,
Qëndron me frikë, pret i tronditur,
Dhe Jehovaj i flet prej një reje
Me zë rrufeje:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevë, bij skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!”

Kryeprofetit dita i ngryset
dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?

“Nem Dhen’ e Lirël! Zot ku ma ke?"
“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe!”
Sëlargu Zoti ia pasqyron,
Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,
Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,
Dhe Golgothaja!

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë
Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
Atje sa bukur, këtu sa zi,
O Moisi!

Këtej ka dimrin, andej pranverën,
Kërkon Parajsën, vdes në Skëterrën,
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
Liberator!

Pjesa e radhës
Marshi i Krishtit