Marshi i Kryqësimit

Do t’ të vrasim, Jesu, se të kemi Baba,
Do t’ të vrasim, Mesi, se të kemi Usta,
Se s’ke dashur as jet’ as martes’ as para:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgothas!

Dy kusarë të vegjël i zumë në lak,
Kryqësoji këta, se na vothnë fort pak,
Kryqësoje këtë, se s’na vodhi aspak:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha!

Vrajeni, se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron, dhe çliron, dhe forcon varfërinë,
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha!

Varreni, se me botën, me ne s’shëmbëllen,
Se na ndreq shtrëmbëritë, dhe kurrë s’na rren,
Se e do vegjëlin’ e tiran’ e urren:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgothat!

Vrajeni, se për vete s’ kujdeset, s’lëfton,
Dhe të mjerët, të humburit nuk i sfruton,
Dhe për sherr, për vllavrasje, për luftë, s’punon:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha!

Varreni, posa s’do as të vras’ as të varrë,
As të bënjë të keqen as gjakun ta marrë,
Dhe katilët me nam na i qan si të marrë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha!

Vrajeni kryengritësin e shenjtëruar
Si katil të mallkuar, atë ka kërkuar,
Se kujtoi që pa armë na ka për të zgjuar:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha!

Pjesa e radhës
Kirenari