Hosanna, o çlironjës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin’ e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!
Kryetrim, që lëfton, triumfon për atdhe,
Shpëtimtar, kryemjek, kryeshenjt, kryefe,
Pasuri, dhe liri, dhe fuqi ti na dhe,
Lume e lum, Galile: Hosanna, hosanna!
O bir i Davidit, i miri Bari,
Ti na prin dhe na rrit në luath e vërri,
Ti na ruan, na mpron, dhe për ne bëhesh fli,
O Njeri-Perëndi: Hosanna, hosanna!
Përmi Dhé, përmi Fron, përmi Qiell u bekofsh,
Përmi djall dhe tiran, përmi Ferr mbretërofsh,
Me pean dhe temjan, dhe këmban ‘u këndofsh,
Drit’ e gas, rrofsh e qofsh: Hosanna, hosanna!
O i fort’, o i urt’, o i ëmbl Jesu
Plot me bes’ e me shpresë të biem mi gju,
T’adhurojmë me zemër këtu e tehu,
Gjithëkunt e pa funt: Hosanna, hosanna!
Hosana, o çlironjës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin’ e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!