Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr" e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!
Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!
O stërnip i Kainit, tepdil Si bari,
Ti na shyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli,
O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!
Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u shurdhofsh
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!
O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turpendotkundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zemërkrundegërdhu: Hosanna, Barabba!
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!