Një meshlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.
Pyt” i Floqit po pëllet
Top” i Krosit po kërcet:
Ç’është ku sheqer-kësmet?
Hallvaxhin” e pamë mbret!
Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbëthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.
Koço Kota, mjek hanxhari,
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u bë firari.
Dhe Feridi faqe ndrron,
Die shante, sot lëvdon
Fryn bulçit’ e trumbeton,
Që katrani zbardhëllon.
Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: “Rroftë Napoloni”
Kështu tha dhe Ksenofoni?
Seç u shporr xhumhurieti,
Seç u rahatos mileti,
Se Sulltanin prap e gjeti,
Se, që kur e humbi, s’fjeti!
Ç’ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s’bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.
Seç na u gëzua xhani,
Seç na preu Ramazani,
Seç na piu Italiani,
Rroftë pra Salep- Sulltani!