Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
– Mbretëreshë pa kurorë -
Faqeçjerrur, leshlëshuar,
Shpirt e zemër përvëluar,
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
se ke djemtë n’Amerikë.
Qarr’ e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë.
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, etj.
Cilët jan’ ata tiranë,
Që të pren’ e që të vranë,
Që të therë bij e bija,
Dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpia?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjak’n e Nënës për të marrë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, etj.
Cilët bij të tradhëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë,
Pa fole, pa zog, pa shpatë7
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, etj.
Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim’ i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë:
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, etj.
Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburresh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, etj.
Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit tonë,
Sot - se nesër është vonë;
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni!
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, etj.