Dy fjalë

Shqipja qysh u është dukur?
Sa e ëmbël, sa e bukur?

Këto vjersha që dalin sot në dritë janë shkruar për të rrëfyer që Shqipja ësht gjuhë si edhe të tjerat, në mos më mirë. Në mos dimë t’a kuvëndojmë a t’a shkruajmë si duhet, ësht se s’duam t’a mësojmë; dhe fajn e kanë: priftët e hoxhët, Kisha dhe Xhamia, Qeverri’e Turqisë. Po fajn më të math e kanë ata Shqipëtarë që besojnë të huajt, dhe shiten, e kërkojnë të shesin dhe Shqipërinë!

„Ç’është gjuha Shqip?“, thonë ca kokëprishur. — „Gjuha Shqip“, o vëllezër Shqipëtarë, ësht gjuha e Shqipërisë; ajo, që na flet mëma në djep; ajo e Skenderbeut dhe e stërgjyshëvet t’anë, që kanë nderuar Atdhenë; ajo e vjershëtorit të madh „Naim-Beut“, që rrjedh si mjaltë; ajo e gazetavet të bukura që dalin në Bruksel e në Sofje e në Bukëresht; ajo e shoqërisë „Përlindja dhe Dituria“; dhe ajo e shoqërivet të Italisë e të tjera e të tjera… S’ësht mjaft për të bindur që kemi gjuhë të bukur?

Po, kush shitet me ergjënd
nukë bindetë me mënd…

Këto vjersha ndahen në tri pjesë, pas qëllimit që kanë:

  1. Atdheu
  2. Dashuria
  3. Përralla të rreme e të vërteta.

Në mos janë shkruar mir’e bukur, janë prej zëmre Shqipëtari, pa ndonjë qëllim tjetër, përveç dëshirës së mëmëdheut e për Shqipen, për të cilat cillido mëmëdhetar duhet të punojë sa t’i epet, pas fuqisë që i ka dhënë Zoti. Kush pak, kush shumë, po ësht nevojë të punojmë të gjithë për Shqipërinë.

U lutem mëmëdhetarvet të më ndjejnë për fjalët e huaja që do të gjëjnë. Po, i mjeri!.. Kam vjet shumë që jam larguar nga Shqipëria, dhe s’mund të them se Shqipen e di mirë. Pastaj më duket se nuk duhet të qërojmë Shqipen nga gjithë fjalët e hueja, se gjithë gjuhët janë lidhur me njerajetrën, dhe janë huarë. Ç’i mbetet gjuhës Franceze po të mos ketë fjalët Latinçe dhe Elinishte? Ç’i mbetet gjuhës së Grekut, po të qërohet nga rrënjët e Shqipes?

Nuk ësht pra turp të shqipërojmë fjalë të huaja kur ësht nevojë, ashtu si kanë bërë gjithë kombet e qytetëruarë. Një gjë duhet të kërkojmë, e t’a harrijmë: të shkruajmë të gjithë me një Allfabet.

Ndaj, Shqipëtarët që shkruajnë libra e Gazeta, duhet të mblidhen e të mendonen mirë për të përdorur gjithë një sua shkronjë, për përparimin e gjuhës s’anë, e cila do të sjellë mbrodhësinë e bashkimin e Shqipëtarëve dhe lirin e Shqipërisë…

Ndë Kairo, 1902.

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB