Dëshirë

I.[1]

Kush lë mikenë që ka
Edhe ndaetë me shokë
Për të fituar para
Nuk’i-ka mëntë në kokë…
Ikëni more të mjerë,
Hiqni Deti tek t’u-nxjerë,
Se për mua, dashuria,
Ara, vreshti dhe shtëpia
Me bëjnë të rroj me gas,
Se s’dua të lë gjë pas,
S’dua t’iki si përpara,
Dua të rroj në për ara,
Mikja pranë të më ketë;
Të punoj aratë vetë.
Fat-mirosh! mot e nga mot
Grur’e misër të kem plot,
Të kem raki, të kem verë
Të ëmbëlë si shilqerë.
Të vete me bakëti,
Me qe, me dhën e me dhi,
Dhe t’i-shpie rëzë malit
Të hanë majën e barit,
Dhe kur të pjellë një dhi
Dot’i ve kecnë në gji,
Nuk’iki nga Shqipëria
Si punojn’ata që s’dinë:
Mos e dhëntë Perëndia
Të ndaem me dashurinë:
Sa të munt të rroj me pak
Po këtu të bënem plak;
Dhe në vuaj, le të vuaj,
Të mos vdes në vënt të huaj!
Të shoh mëmën e babanë,
Të kem dhe motratë pranë,
Dhe kur të vdes të më qajnë
Pa zakonetë që kanë;
Të më marrënë në duar,
Të qajnë me lesh lëshuar,
Dhe mikia kur të vijë
Të qaj’e të ulërijë

II.

Ku janë vaftet e parë?
Stërgjyshret sa mirë qenë!
Shkonin jetënë pa ndarë
Edhe dojnin Mëmëdhenë.
S’kish pampor e s’kish gjemi;
Nukë vinin të fitonin,
Atdhenë s’e-lij njeri,
Po punonin edhe shkonin.
Kau nukë kishte zgjedhë,
As fre për kalën e-fortë…
Dhe si s’kish njeri të vjedhë
Shtëpitë qenë pa portë…
Aratë s’kishnë sinuar,
S’kish të pasur e të varfër
Dheu qe i-lulëzuar,
Kafsh’e njers rronin të afër…
Nukë kishte njers të liq,
Dhe lufta s’kishte dhe dalë,
Gjithë bota qenë miq,
Qenë vëllezër në ballë…
Po tani, Zot’i-Vërtetë,
Njeriu gjan me arinë!
Nukë hiqetë kjo jetë
Se njeriu ha njerinë!..
Sot s’mbretëron dashuria;
Nukë kemi dashuri;
S’na mbeti as trimëria!
Sot rrojmë në robëri!

III.

Sot e tutje, më shtëpi.
Mikia të mbretërojë,
Cili do nga miqt’e-mi
Për zonjë duet t’a njojë.
Kur të vete në për ara,
Kur të korr e kur të mbjell,
Të kem mikenë përpara
Kur të shij e kur të vjel.
Dhe në stan kur të më shojë
Me qe, me dhen e me dhi,
Mikia t’i-numërojë
Se mos m’i-vjedhë njeri.
Të më zbukurojë stanë.
Të bëjë djathë, të butë.
T’u-hedhë qënet të hanë
Të na ruajn’nga hajdutë.
Edhe nata kur të vijë,
Të marr mikenë në gji…
Dhe hënëza të na ndrijë
Dhe të na ketë zili!

IV.

O shokë, ç’u-prish dynjaja
Si për burra dhe për gra;
Tani shitetë sevdaja…
Mjer’ai që s’ka para.
I-pasur, të palltë varri!
Ti që bleve dashurinë
Dhe nuk’e-le si më pari,
Të martë Djalli shpyrtinë!
Ndëgjoni more të ri,
Ndëgjoni dhe ju të ra:
Duani atë që di,
Jo atë që ka para.
Duani dhe vjershëtorë
Mbarambar me Perëndinë,
Se rri me lule më dorë
Edhe këndon Dashurinë.
Ata që janë lëvduar
Me këngë, nga vjershëtori,
Janë burra të ndëgjuar
Dhe rrojënë sa Tomorri!
O ju të ra e të ri
U lutem të më këndoni
Që të kini dashuri;
Kur të vdes të më kujtoni.

V.

Moj mike kam bërë bê
Të marr syt’e-mi të shkoj,
Se me nazetë që ke
Me ty nukë munt të rroj!
Nukë të bëra faj kurrë,
Gjë të ligë s’të kam bërë;
Dhe kur jeshe e-sëmurë
S’më zinte gjumi të flërë!
Luteshë te Perëndia
Me metani dit’e-natë,
Të t’apë nga dit’e-mia,
Të kesh jetënë të gjatë.
Qysh të bëj more të mjerë
Që ditënë q’u shërua,
Mikja zuri miq të tjerë!
Edhe lot e qesh me mua!

Një dit’iku e më la
Se do një që ka para.
Nalet paç moj Dashuri
Se më trete si qiri.

Dua të dejem me verë
Të munt të harroj qederë,
Dhe të zë mike të ra,
Të më lënë si më la…
Po as vera s’më zë kurrë
As me mike s’bënem burrë…
Dhe më thonë, me mëri:
Të kanë bërë magji!

— S’më zënë magjitë mua,
Po kujtoj atë që dua. —

VI.

Mike pse më prish fiqirë?
Vetë vije më kërkoje…
Tani ku gjete më mirë?
Pse s’më thoshe kur s’më doje?
Më thuaj që më do shumë.
Po janë fjalë të rreme:
Ikën e më lë në gjumë,
Edhe më punon llagëme!
Gjithë-një më turpëron,
Dhe më përvëlon si zjar!
Dhe të ligat që punon
Guxon e m’i-zë niqar!
Mjer’ia që të ka grua!
Nalet pastë kush t’a dha!
Se dot’a gënjesh si mua,
Me tertipe të mbëdha.
Mos e-besoni ç’u-thotë:
Gruaja nukë ka besë:
Dashurin’e-ka për botë
Që kur len e sa të vdesë!
Kush nuk’ësht’i-zoti vetë
Të rrojë gruan që merr,
Kurrë grua të mos ketë
Në do të rrojë me nder.
Qërto thirrë sa të duash
Gruaja s’e-prish qederë:
Sa më shumë do t’a ruash
Aqë shumë do të tjerë!
Këto bënenë në botë:
Burrat që rrojnë nga gratë
Se nukë janë të zotë,
Turpëronen dit’e natë…
Të pyeni dhe të tjerë
Po të mos besoni mua:
Shini Adhamutn’e-mjerë
Se ç’heq, fat-ziu, me grua!
Sos qirinë dot’i-mbajë!
Sos të shara të durojë!
Se s’ka, i-gjori, të hajë;
S’ësht’i-zoti të punojë!

VII.

Moj mike, kush të gënjeu
Dhe të shiti a të bleu;
Ay që të gjeti burrë
Mos paftë të mirë kurrë,
Sëmund’e-madhe t’a zërë;
Të mos mundij dot të flerë;
Gjithë natën t’ëndërrijë;
Të mos haj’e të mos pijë;
Uqret e qëntë t’a hanë;
Të shojë lugat babanë!
Tëtilla ka për të vuar
Ay që na ka trazuar.

VIII.

Ata që më kanë sharë
Për dashurinë që kam,
Janë gjithë njers të marrë
Se i-pari nukë jam.
Kush qesh me hallet e mia,
Qesëndis me dashurinë,
T’a gjejë nga Perëndia,
Ç’kanë me mua fat zinë
Me egërsira të rrojë;
Tisifoni me Serberë,
Dit’e natë t’a mundojë,
Të mos shojë drit’e erë;
Zot, të vdesë nga uria,
Për ujë t’a marrë malli,
T’i-zhuritet mushkëria,
T’a pësojë si Tantali!..

IX.

Dotë pi raki dhe verë
Të munt të harroj qederë;
Të harroj hallet e-mia
Se plasa nga dashuria,
Se dhe mikia që dua
Mbyll portën dhe qesh me mua!
O moj portë moj e-shkretë
Mos rri mbyllturë për jetë:
Hapu për mua një natë
Moj të çaftë një sëpatë!
Hapu moj portë një herë
Se bie shi e fryn erë!..
Shtëpia prapa te fiku,
Del mike se të do miku;
Moj pse s’del apo s’të lënë?
Sos je mollë për të ngrënë!
Moj mike moj jetë gjatë
Gdhiu me miknë një natë.
Pse s’guxon të dalç të dera
Si bëjnë shoqet e tjera?
Pyet të rit’e të ratë
Ç’punojnë, moj jetë gjatë:
Çupa, me tertipe shumë
Le mëmën’e-saj në gjumë
Dhe hap derënë nga-dale
Të vejë të lozë valle;
Dhe gruja që ka burrë
Shtiretë më të sëmurë,
Dhe kur bënetë më mirë
Ryn më shtëpi ndaj të gdhirë.
Eja, sa jemi të gjallë,
Të lozëm ballë për ballë,
Të duemi më të fortë
Se kemi vdekjen’në portë,
Ea sa jemi të ri
Se kemi dhe pleqëri:
Kur bënen leshtë tëborë
Dhe dashuria heq dorë…
Vajza humbet bukurinë
— Bukurinë që ke vetë —
Dhe djali humbet fuqinë,
Kur zën’e shkojënë vjetë.
Zot i-Math e i-Vërtetë,
Mëndja jote nukë diet:
Djalëria shkon për jetë
Dhe gjarpëri përtëriet!..

X.

Kur të vijë dhe për mua
Dit’e fundit, mike dua
Të vdes në duar të tua:
Kur të më shukosh të vdekur
Dotë qash se s’je nga hekur,
Se s’jemi më për të pjekur!
Kur të më bëjënë varrë
Dotë më puç duk e qarë
Se s’jemi më për të parë!..
Dotë më qash moj e-mjerë
Se s’piqemi tjetër herë!
Dot’më qajnë dhe të tjerë,
Se këndova dashurinë,
Këndova dhe Trimërinë
Mëmëdhen’e Perëndinë.

XI.

Moj mike të bëj porsi
Vetëmë mua të duash;
Mos të gënjejë njeri
Po nderinë t’ënd t’a ruash.
Merr një plakë nga mëhalla
Të të ruajë nga herë,
Dhe të të thotë përalla
Me kandile duke tjerrë.
Dhe gjumi kur të të marrë
Mbae plakën më shtëpi;
Shuaj llambën edhe zjarrë
Dhe vetëm bjer’e fli.
Në mëngjës duke këcyer
Të vi vetë të të sgjoj;
Kur të më shoç papandyer
Të më lesh të të pushtoj.

XII.

Gjithë natën e vadesë
Fryntej er’e bintej vesë;
Derëziu po të presë
Në pezul të penxheresë
M’a bëre me të pabesë.
Dhe kur dha Zoti mëngesë
U-sëmurç’e daj’të vdesë
Se nukë rroj dot pa shpresë.
Ç’më duetë jeta mua
Kur s’më do ajo që dua
Lesh-verdha gjera më thua,
Cicat posi lemua.
Ç’të këndoj për të më parë?
Dhëmbëtë margaritarë,
Buza si qërshi e kuqe
Goj’e saj posi bubuqe;
Sy-zez’e vetullë-hollë
Faqetë si koqe mollë
Mes’i saj si rreth unaze
Më lodh e më vret me naze.

XIII

Të më bën Zoti dhe mua
Një profit një noitua
Që të dijë mënt’e-tua:
Vallë më do sa të dua;
Se me gojë s’më the kurrë
Më do as s’më do për burrë.
I-ziu jam i-sëmurë,
Më digjet koka si furrë!
Se nga dashuri e-shumë
Nat’e ditë rri pa gjumë.

XIV.

Zëri qan, shpyrti rënkon,
Zëmëra katran kullon…
Pse moj mike më mundon
Pse ulë kokënë kur shkon
Dhe bën si kur s’më shukon?
O mor i-ziu Andon
Pse vajton e pse këndon?
Mikja zënë s’a ndëgjon,
Dhe n’e-ndëgjon s’të beson.
Nga të të besoj’e mjera
Kur ndëgjon fjalë të tjera?

XV.

Babai nalet të ketë
Që s’të martoi dot vetë,
Dhe nënës i-palltë varri.
Që s’të vloi më së pari.

Ç’e do jetën edhe gjënë
Kur s’ke burrë për të qenë?
Ç’të duetë gjër’i-shkretë
Kur s’e trashëgon dot vetë?

Gjënë që të la babai
Dotë ta hajë xhaxhai
Se xhaxhai me kunanë
Prandaj të dhanë çobanë.

XVI.

Më qafë të pastë kush të ka martuar:
Me burrën që more nukë ke të shkuar.
Jetime, kur humbe mëmën e babanë
Të vunë në dorë motra me kunanë!..
Motra tu bë bushtrë moj e-mjera Rinë,
Dhe burrë për jetë të dhanë efgjinë!
Mir ata t’a dhanë po ti qysh e deshe?
Qysh e more burrë? e vogëlë s’jeshe.

XVII.

Në mos kupëtove
Motra ç’të punoi
Pse nukë kujtove
Zotnë q’e verboi?

Ditënnë q’u vlove
Me këtë zuzar
Nuk’e kuptove
Që s’qe Shqiptar?

Kur more efgjinë
E-vure ndë gji
Nuk’i-pe turinë
Si thingjill i-zi?


  1. Nota: Shumë nga këto vjersha janë shqipëruar nga Vjershëtori Latin „Tibuli“. ↩︎

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB