Aleksandr’i-Math qe burrë
Me të madhe trimëri,
Shqipëtar që s’gjëndet kurrë,
Po ç’bëri për Shqipëri?
Që foshnjë, duk’e lëftuar
Zotoi të tër’Asinë,
U-bë një mbret i-lëvduar,
Po ç’bëri për Shqipërinë?
Me punëra që punoi
Me trimëri që rrëfeu,
Që kur leu dhe sa rroi,
Ç’të mirë pa Mëmëdheu?
As një të mirë s’ka parë,
Shqipëria mbet e-mjerë…
Se trimatë Shqipëtarë
Lëftojnë për të tjerë!
Punojnë për Turqinë,
Për të ndyrënë More;
Shqipëtari, Shqipërinë,
S’e-do, bën sikur s’e-nje!
Trima, të varfër, të pasur
Shqipërin’e-kan’harruar:
Njeri nuk’i-është qasur!
Për të njeri s’ka punuar!..
Po ata vdiqnë të tërë,
Dhe Zoti le t’i-gjykojë!
Të gjëjnë si kanë bërë…
Po Shqipëria të rrojë!
Aleksandri i-Math
Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB
Andon Zako Çajupi