Këto dhjetë porosi dolën në revistën Opinga, në vitin 1920. Opinga ishte “e-përkohëshme popullore, politike, letrare”, dilte “në krye të çdo muaji” dhe drejtohej nga Nikolla Lako, nga Boulogne (Seine), në rrethinat e Parisit. Revista kushtonte 20 franga në Shqipëri dhe 5 dollarë në Amerikë — një shenjë e vogël se kujt i drejtohej: shqiptarëve brenda vendit dhe shqiptarëve jashtë tij.
Maji i 1920-s ishte një nga muajt më të pasigurt të shtetit shqiptar. Lufta e Parë Botërore e kishte lënë vendin të copëtuar e nën ushtri të huaja, dhe fuqitë fituese ende peshonin plane për ta ndarë Shqipërinë mes Italisë, Greqisë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Në janar Kongresi i Lushnjës e kishte hedhur poshtë copëtimin, kishte formuar qeveri të re dhe e kishte zhvendosur kryeqytetin në Tiranë; në qershor do të niste Lufta e Vlorës kundër pushtimit italian; dhe vetëm në dhjetor Shqipëria do të pranohej në Lidhjen e Kombeve. Opinga botohej pikërisht pranë vendit ku vendoseshin këto punë — larg atdheut, por brenda zhurmës së diplomacisë.
Ndaj edhe porositë nuk flasin për ide të mëdha, por për gjëra praktike e të përditshme: miku që troket në derë pa qenë mik, letra që vonon sepse dikush e ka hapur rrugës, lajmi i keq i sajuar posaçërisht për të të shuar dëshirën për punë. Porosia e nëntë e emërton pa dorashka mjetin më të vjetër të përçarjes — thashethemin se “Shqipëria u mbush plot me Turq” — që, sipas autorit, synonte të grindte shqiptarët myslimanë me vëllezërit e tyre të krishterë. E dhjeta mbyllet me një paralajmërim që s’ka nevojë për shpjegim: Ruaju, Shqipo, të keqen, ruaju nga gjusmakët.
Porositë janë shkruar si dhjetë urdhërime, drejtuar një lexuesi të vetëm, “Shqipos” — pra secilit shqiptar. Teksti ruhet ashtu si është shkruar në dorë në faqen origjinale, me drejtshkrimin dhe shenjat e kohës.
* * *
- Shqîpo, mos mbesô kûrrë se ç’do njëri që të vjen në shtëpi, është miku tënt dhe i Shqipërisë.
- Shqîpo, mos harrô se armiqt’ e Shqipërisë, nënë formë miku, të vinë në shtëpî, po mos mbesô se vinë të të shikojnë: si je nga shëndeti; këta faqe-zinj, vijnë vetém dhe vetém, që të shikojnë ç’bën, si punôn, me kë punôn, me kë ke të bësh, me kë je në letrë-këmbim e.t.t. , e.t.t…
- Shqipo, verë re mirë dhe zgjith miqt’ e vërtétë tëndit dhe të Shqipërisë, që të mos bûjash viktîm’ e spiunit.
- Shqipo, kur të digjesh një hérë nga qûlli, mos harrô që, nënë pamje kôsi munt të të sjellin ndonjë qull më të nxéhëtë.
- Shqipo, kî ndër mënt që armiqt’ e Shqipërisë, përdorin të gjitha mënyrat që të ndalojnë përparîmin edhe çvillîmin tënt. Prandaj, kur të arrin ndonjë prapësî, shkô ndër mënt kurdo-hérë që shkaktari munt të jetë armiku i kômbit tënt.
- Shqipo, kur vë re që të vonohet korrespondénca e zakonçme, shko ndër mënt që, munt të jet’ e ndalûar nga an’ e armikut të kombit tënt; prandaj, mos prit me sot me nésër, po merr masat e dûhura që t’e nxjérësh në shesht, shkakun e ndalîmit.
- Shqipo, mos harrô që tanî në kôhet e fûndit, armiqtë që dëshërojnë ndarjen e mëmëdhéut tënt, e kanë shtûar nûmrin e spiunëvet, të cilët nuk lenë dy gur bashkë pa trazûar që të të gjûajnë, me ç’mënyrë punon që të qytetërosh kombin tënt.
- Shqipo, kur dëgjon ndonjë lajme të ligë për kombin tënt, mos u nxeh për një hërjesh; mos u hidhëro me të shpejtë; mblith mëntë, mentoju mirë dhe shko ndër mënt që 90% munt të jetë një lâjme e fabrikûar nga an’ e armiquet të kombit tënt, me qëllim të lik, që të të xujérdhin nga zembëra, dëshirën që kê, për të punûar për përparîmin e Shqipërisë.
- Shqipo, kur dëgjon që thonë: “Shqipëria u mbush plôt me Turq” mos harrô të shkosh ndër mënt që, munt të jetë një gënjeshtër e çpifur prej Grékëvet, pllan i të cilëvet është që të bëjnë të grykôsen, shqipëtârët Myslimanë, me Shqipëtarët, vëllëzërit e tyre, të Krishtërët.
- Shqipo, të lodha, po, dëgjoma edhe këtë porosî; RUJU, Shqipo, të keqen, RUJU NGA GJUSMAKËT.
